MJAFT! London Club
MJAFT! KSENOFOBISE!
Shqiptaret e Anglise Protestojne tek Ambasada Greke
  
Gjate protestes ne 21 Qershor 2007 - Click for full photo album
Letter to the Prime Minister of Greece, Karamanlis - Click here for PDF version

NJOFTIM PER SHTYP
21 Qershor 2007
PROTESTE NGA MJAFT! LONDON CLUB PERPARA AMBASADES GREKE NE LONDER
Në përgjigje të videos së fundit të shfaqur nga mediat greke ku "dy shqiptarë të mitur" rrihen brutalisht nga policia greke, MJAFT! London Club zhvilloi sot një protestë paqësore përpara Ambasadës Greke në Londër. Protesta kishte për qëllim kundërshtimin e dhunës si formë praktike brenda institucioneve shtetërore Greke dhe u konceptua si shprehje e indinjatës shqiptare ndaj këtyre akteve të papranueshme.
Me slogane si KSENOFOBI=FJALE GREKE, KARAMANLIS KERKOI FALJE SHQIPTAREVE, STOP ABUZIMIT TE SHQIPTAREVE NE GREQI, POLYDORAS JEP DOREHEQJEN, MJAFT RACIZMIT, TURP!, NUK NA NEVOJITET DHUNA, protesta zgjati rreth dy orë përpara Ambasadës Greke, 1A Holland Park, London, W11 3TP me pjesëmarrjen e një grupi Shqiptarësh në Britaninë e Madhe dhe në bashkëpunim me shoqatat Tifozat Kuq e Zi dhe Shpresa Programme.
Alban Bytyqi , një nga anetaret e Klubit dhe organizatorët e protestës shpjegon se qëllimi kryesor i kësaj proteste ishte shprehja e indinjatës Shqiptare ndaj ksenofobisë të vërejtur kohët e fundit në strukturat institucionale greke. Natyra e protestës ishte tejet paqësore dhe në traditën e kulturës protestuese të Levizjës MJAFT!, ajo tregoi shenja të larta qytetarie dhe pergjegjësie. Për këtë nivel të lartë edhe u pergëzuam nga policia britanike që ishte e pranishme në vendngjarje.
Protesta kishte për qëllim edhe dorëzimin e një letre zyrtare adresuar kryeministrit grek Karamanlis, të firmosur nga të gjithë pjesëmarrësit e protestës, nëpërmjet të cilës Mjaft! London Club shpreh indinjatën e Shqiptarëve të Britanisë së Madhe ndaj videos shokuese dhe institucionalizimit të dhunes në strukturat shtetërore greke si dhe i kërkon qeverisë greke:
- T'i kërkojë falje publikisht popullit shqiptar
- Dorëheqjen e ministrit të rendit publik, Viron Polidoras
- Marrjen e masave ndëshkuese të menjëhershme ndaj abuzuesve
- Zhvillimin e një investigimi të brendshem policor rreth ngjarjeve brutale me një transparencë të plotë.
Gjatë dorëzimit të letres tek personeli i ambasadës nga Alketa Ceci, Ralf Gjoni dhe Andi Rrugia , pjesëmarrësit u siguruan se kjo letër do të transmetohej nga Ambasadori tek Kryeministri Grek dhe se ata do të merrnin një përgjigje nga qeveria greke në lidhje me shqetësimet e tyre.
Alketa Ceci shprehet se kjo është vetëm maja e ajsbergut të abuzimeve brutale që ndodhin në Greqi. Eshtë e turpshme që u desh një vit që ky skandal të zbulohej nga shoqëria greke. Sidoqoftë ne e kemi të qartë qe ky nuk eshte thjesht nje incident i izoluar dhe prandaj do vazhdojmë presionin tonë.
Ralf Gjoni , drejtues i klubit Mjaft të Londres shprehet se në një vend anëtar të BE-së, në shekullin e 21, Shqiptarët rrihen brutalisht, flamuri shqiptar digjet publikisht, qytetarët tanë abuzohen dhe edhe vriten në kufi, për të mos përmendur mijëra raste ksenofobie dhe racizmi ndaj bashkëkombasve tanë në Greqi. Eshtë detyra jonë si shoqëri civile që të monitorojmë incidente të tilla skandaloze dhe në të njejten kohë t'i tërheqim vemendjen të gjitha organizatave botërore të të drejtave të njeriut, trupit diplomatik në Londër dhe zyrtarëve shtetërorë Europianë. Ky diskriminim ndaj Shqiptarëve në Greqi duhet të marre fund menjëherë dhe per këtë arsye edhe ne u mblodhëm para ambasades greke sot. Duhet t'a bejme të qartë se ne prekemi jashtë mase kur shohim skandale te tilla dhe se nuk duhet t'a ulim kokën përpara brutaliteteve dhe akteve mesjetare të kësaj natyre.
MJAFT! London Club do proçedojë në rrugë të civilizuar dhe profesionale dhe do e pasojë protesten me dërgimin e një letre të hapur të gjithë ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së në Londër për t'i informuar rreth çështjes në fjalë ashtu si dhe Lëvizja MJAFT! në Tirane që po ndërmerr hapat e duhur për të sensibilizuar opinionin politik mbarë-europian.
|