Leter Drejtuar Editorit te Sunday Times
MJAFT! i kerkon Sunday Times te kerkoje falje
26 Korrik 2006
To: John Witherow
Editor of the Sunday Times
Cc: Robin Morgan
Editor of the Sunday Times Magazine
Zotërinj,
Habia dhe irritimi më shoqëruan teksa po lexoja artikullin ‘Toka që Koha Harroi' të shkruar nga AA Gill botuar në Sunday Times Magazine në 23 Korrik 2006.
Eshtë e qartë që në paragrafin e parë që autori nuk është i interesuar të zbulojë ‘Shqipërinë e vërtetë' sic përmendet në mënyrë ironike në faqen tuaj të parë. Ky artikull është plot me pasaktësi faktuale të frymëzuara nga një paragjykim i madh negativ i paramenduar nga autori. Gjuha e autorit është ofensive, e egër dhe e padrejtë ndaj Shqipërisë dhe popullit të saj. Më lejoni t'jua ilustroj.
Mbi cilat standarte bazohet Z. Gill kur i gjykon adoleshentët shqiptarë si ‘ adoleshentët me të keqveshur të Evropës '? Si mund të sugjerojë autori që Shqipëria është ‘ Ruritania e banditëve dhe gjakmarrjes ' pas një vizite të shkurtër ne vend? Cfarë do të thotë Z. Gill me ‘ shqiptarët janë të shkurtër, me fytyrë-miu, këmbë shkurtër si mini-kuaj '? Autori vazhdon me mënyrën e tij qesharake për të diskretituar shqiptarët duke iu referuar gjuhës Shqipe si ‘ një kod i përgatitur për kriminelët që në të njëjtën kohë tingëllon fonetikisht qesharake '. Kjo do të thotë që ata qytetarë që flasin shqip në Britani duhen konsideruar automatikisht si kriminelë të mundshëm.
Duke lënë mënjanë pikat absurde dhe gazetarinë e varfër të Z. Gill, ne jemi të shqetësuar nga tentativa e qëllimshme e autorit dhe gazetës suaj për t'a përshkruar komunitetin shqiptar në botë si mëposhtë:
‘…Thuhet se ata menaxhojnë shumicën e tregëtisë se armëve, kalashnikovët më të lirë që mund të blesh. Ata janë si një mini-market kaotik. Pas vitesh të tëra që u morën nëpër këmbë, u pushtuan, u vodhën dhe u gënjyen, shqiptarët janë transformuar në qenie të frikshme. Ata nuk janë të diplomatikë, nuk përgjigjen në mënyrë proporcionale, nuk e kontrollojnë dot agresivitetin apo gjuhën kërcënuese. Më thonë se ata zotërojnë kriminalitetin në Milano – të eksportosh krimin e organizuar ne Itali është njëlloj sikur t'i shesësh frigoriferë eskimozëve apo rërë arabëve.
…Gjithë kjo kulturë imituese dhe dëshpëruese për të qenë dicka tjetër, paguhet nga paratë që dërgohen nga jashtë shtetit. Ekonomia shqiptare funksionon falë Komunitetit Evropian dhe parave të pista që transportohen nën karriget e veturave Audi. Shumica e kësaj paraje është kriminale, megjithatë ka edhe një pjesë të vogël të saj që është fruti i punëve të vetmuara, të pasigurta dhe të parëndësishme që bëhen nga imigrantë ilegalë në tregun e zi evropian '.
Fjalitë e mësipërme tregojnë qartë përpjekjen e qëllimshme të Z. Gill dhe gazetës suaj për të diskretituar imazhin e komunitetit shqiptar ne Britani të Madhe.
Artikullit i mungon gjithashtu edhe stili profesional gazetaresk si dhe thellësia analitike e kërkimeve të mirëfillta. A i ka studiuar Z. Gill mijëra shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Londër në disa prej kompanive më prestigjioze në distriktin financiar? A i ka takuar ai gjithë ata analistë, manaxherë financiarë, bankierë, llogaritarë, sekretarë, përkthyes, mësues dhe qindra studentë të mprehtë shqiptarë në Britani? A e keni kontrolluar ju zotëri mungesën e fakteve pas pretendimeve të autorit se ajo që bën komuniteti shqiptar në BM është ilegale dhe se shumica e parasë që ne dërgojmë në Shqipëri na qenkërka e pisët? Kjo indikon një përpjekje të qëllimshme për t'i shfaqur shqiptarët si të frikshëm dhe si një kërcënim për shoqërinë britanike. Gjuha e përdorur nga autori është plot intolerance raciale dhe kërkon të dëmtojë reputacionin e Shqipërisë dhe popullit të saj në Evropë, sidomos në një moment kur British Airways dhe Albanian Airlines kanë filluar fluturimet direkte Londër-Tiranë dhe kur agjencitë turistike britanike po fillojnë të ofrojnë udhetime pushimi në Shqipëri. Eshtë e turpshme që një gazetë me reputacion si Sunday Times të botojë një shkrim kaq amatoresk dhe të pabazuar mbi fakte reale.
Ky artikull gjithashtu ofendon rreth 50,000 shqiptarë që jetojnë në BM dhe nxit një paragjykim racial në mesin e lexuesve britanikë. Megjithëse ne e kuptojmë lirinë e shtypit shumë qartë (meqë ne si MJAFT! jemi avokatët më të ashpër të kësaj lirie - http://www.london.mjaft.org/mjaft_mocioni_britanik_shqip.htm ) besojmë se ky paragjykim i qëllimshëm nga autori nuk e ndihmon qeverinë britanike në punën e saj për të promovuar marrëdhënie të mira mes komuniteteve të ndryshme.
Së fundi, vërejmë me shqetësim të vecantë përpjekjen e keqe të Z. Gill dhe gazetës suaj për të dëmtuar marredheniet e tregëtisë dhe biznesit mes BM dhe Shqipërisë në një kohë kur ato janë në kulmin e tyre për më se 15 vjet. Ky përshkrim kaq negativ i Shqipërisë dhe qytetarëve të saj si kriminelë, gangsterë, të trashë dhe të frikshëm, ndikon drejtpërdrejt mbi turistët dhe investorët potencialë britanikë që kanë shfaqur një lloj interesi mbi Shqipërinë këto muajt e fundit. Artikulli nuk e përmend aspak zhvillimin që ka njohur Shqipëria keto vitet e fundit si ne infrastrukturë, rritje të GDP'së, strukturat shoqërore, shoqërisë civile si dhe firmosjen e MSA'së që hap rrugën për anëtarësim të mundshëm në KE.
Duke marrë parasysh të mësipërmet, kërkojmë që gazeta juaj t'i kërkojë falje publikisht komunitetit shqiptar në BM si dhe milionave qytetarëve shqiptarë që mbeten të ofenduar nga gjuha raciste e Z. Gill. Gjithashtu do të donim të kërkonim “të drejtën e përgjigjes” për të dhënë një përshkrim më të ekuilibruar të Shqipërisë për lexuesin britanik.
MJAFT! qëndron i përkushtuar ndaj parimeve demokratike të lirisë së shtypit dhe lirisë së fjalës. Sidoqoftë, ne nuk mund të tolerojmë sulme të qëllimshme mbi imazhin e shqiptarëve si një komunitet punëtor dhe serioz në BM pa evidencë faktuale të prodhuar nga autori. Sinqerisht,
Ralf Gjoni
MJAFT! London Club
Email: london@mjaft.org
UK Website: www.london.mjaft.org
Headquarters Website: www.mjaft.org
Link to 'The Land That Time Forgot' by AA Gill
The Sunday Times, July 23, 2006
|